Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me projektin e Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri (EU4LEA), zhvilloi më datat 19, 20 dhe 23 janar 2026 aktivitetet trajnuese të modulit me temë “Krimi Kibernetik”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës në Tiranë.
Aktivitetet trajnuese u drejtuan nga ekspertët shqiptarë Ylli Pjetërnikaj, Edmond Koloshi, Tereza Merkaj dhe Marjeta Zaimi, si dhe u lehtësuan nga Adnan Hoxha, Ermira Manelli dhe Xhoana Mehmetaj. Gjithashtu, në këto aktivitete u angazhuan ekspertë të huaj, konkretisht:
- Z. Franck Cormary, Kryeinspektor Nderi dhe ekspert i lartë në fushën e krimit kibernetik;
- Z. Gianluigi Pratola, Zëvendësprokuror i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Kasacionit në Itali, me përvojë të gjerë në të drejtën penale dhe procedurën penale, përfshirë çështje që lidhen me krimin e organizuar dhe mbrojtjen e të miturve.
Qëllimi i këtij moduli trajnimi ishte përforcimi i kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve kibernetike, falsifikimeve kompjuterike dhe ndërhyrjeve në të dhënat kompjuterike, përmes aplikimit të teknikave bashkëkohore të hetimit digjital, administrimit të provave elektronike dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sesionet e trajnimit u realizuan duke ndërthurur prezantimet teorike (20–30 minuta) me diskutime interaktive, pyetje vetë-studimore, sesione pyetje-përgjigje dhe ushtrime me raste praktike, me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes aktive të të pranishmëve.
Gjatë këtyre aktiviteteve trajnuese u trajtuan, ndër të tjera, temat e mëposhtme:
- Kuadri ligjor i krimit kibernetik dhe llojet e krimeve kibernetike;
- Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe teknikat e hetimit të krimit kibernetik;
- Kuadri ligjor ndërkombëtar dhe kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual dhe ndikimi i teknologjisë;
- Pornografia e të miturve dhe interneti. Ndikimi i rrjeteve sociale në joshjen dhe shfrytëzimin seksual të të miturve;
- Garancitë e Kodit Penal për mbrojtjen e të miturve nga krimet seksuale të kryera nëpërmjet internetit;
- Krimet kompjuterike, përfshirë aktet me natyrë raciste dhe ksenofobe të kryera përmes sistemeve kompjuterike, si dhe provat elektronike;
- Analiza e figurave të veprave penale që lidhen me krimin kibernetik sipas legjislacionit shqiptar;
- Trajtimi i rasteve praktike në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe Protokollin e Parë Shtesë të Konventës së Budapestit.
Në këto aktivitete trajnuese morën pjesë gjyqtarë, prokurorë, hetues dhe oficerë të policisë gjyqësore nga Republika e Shqipërisë.






Shkolla e Magjistraturës